pershendetje , i nderuar vizitor ju ftojmë qe të regjistroheni ne forumin tone.
sepse nese jeni i rigjistruar i keni te gjitha te drejtat si qdo antar i rigjistruar ne nje forum , andaj regjistrohu sepse gjithqka do ta kesh me leht .

Ju falemnderit per Viziten ,
Ju falemnderit per Mirkuptimin .


Staffi i Kosovaschool ju uronë zbavitje te mir ne Forumin e Kosovaschool .
pershendetje , i nderuar vizitor ju ftojmë qe të regjistroheni ne forumin tone.
sepse nese jeni i rigjistruar i keni te gjitha te drejtat si qdo antar i rigjistruar ne nje forum , andaj regjistrohu sepse gjithqka do ta kesh me leht .

Ju falemnderit per Viziten ,
Ju falemnderit per Mirkuptimin .


Staffi i Kosovaschool ju uronë zbavitje te mir ne Forumin e Kosovaschool .
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.


Mir se vini në Forumin e ..::KosovaSchool..:: !
 
ForumLatest imagesRegjistrohuidentifikimi

 

 Shoqeria Ideale

Shko poshtë 
AutoriMesazh
attacknight
Web Master
Web Master
attacknight


Postimet : 642
Piket : 3816
I antarsuar : 22/11/2009
Lokacioni : Vendi i All-llahut

Shoqeria Ideale Empty
MesazhTitulli: Shoqeria Ideale   Shoqeria Ideale EmptySun Apr 04, 2010 10:06 pm

SHOQËRIA IDEALE
Written by Sevdail Jakupi
Saturday, 27 May 2006 17:00
Falënderimi i takon Allahut Fuqiplotë, e falënderojmë Atë për shkak të udhëzimit që na bëri në dritën e Islamit, në dritën e udhëzimit dhe në dritën e diturisë, vetëm Atij i përulemi dhe i nënshtrohemi e vetëm për Të biem në sexhde. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin alejhi selam, mësuesin e njerëzisë, familjen e tij, shokët e tij si dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.
Më pas është një kohë që do ta kalojmë së bashku brenda pak minutave me ju të nderuar që e keni parë të arsyeshme që të kaloni këtë kohë duke mësuar rreth fesë së Allahut subhanehu ve teala. Ashtu që me këtë të ngritni nivelin tuaj fetar dhe të bëhemi prej atyre që kalojnë pak çaste duke medituar për Islamin, të cilin Allahu e dërgoi shpëtim dhe udhëzim për gjithë njerëzinë, pa marrë parasysh se cilit popull, race apo gjinie i takon.
Është një temë në të cilën do të ndalemi pak ta studiojmë atë dhe të mendojmë se si të realizohet synimi për të qenë “shoqëria ideale”, shoqëri që njeh Krijuesin e vet, shoqëri që respekton veten e saj, shoqëri që di ta drejtojë rininë e saj kah më e mira si dhe një shoqëri që i përmbush dhe plotëson të drejtat e të gjithë njerëzve.
Për të qenë kjo temë sa më e qartë dhe më e kuptueshme do të ndalemi në disa tipare të rëndësishme dhe që patjetër duhet t’i ketë shoqëria ideale, e ato janë:
-Frika ndaj Allahut,
‎-Adhurimi i Allahut,
‎-Respektimi i të tjerëve,
‎-Kthimi te Krijuesi pas lëshimeve që bëhen.


Sa i përket frikës ndaj Allahut, duke filluar prej vetvetes e deri te ju po e përcjell mesazhin e
Allahut subhanehu teala, i Cili në Kur’anin Famëlartë thotë:
“Ne ju patëm sugjeruar atyre që iu pat dhënë libri para jush, e edhe juve që të keni frikë nga Allahu!” [Nisaë, 131]
Pra, ky ajet kur’anor na e bën shumë të qartë çështjen e frikës ndaj Allahut, ku asnjë popull më herët nuk ka qenë e të mos ishte i këshilluar nga Allahu që të kultivojnë në mesin e tyre frikën ndaj Tij, pa të cilën asnjëherë nuk mund të kemi një shoqëri të mirëfilltë, një shoqëri ideale. Andaj, secili prej nesh duhet kushtuar vëmendje dhe të mundohemi ta mbjellim në zemrat tona këtë veti të bukur, e cila na mëson se duhet pasur frikë Allahun, i Cili gjithmonë është në përcjellje të robërve të Tij, në asnjë moment nuk i shpëton Atij diçka e të mos e ketë vërejtur, si dhe çdo gjë që ndodh ngjanë me caktimin dhe dëshirën e Tij.
Një shoqëri, e cila e kujton se ka një përcjellje që asgjë nuk i shpëton pa e vërejtur, e pa u shënuar, e pastaj pa u përgjigjur, e në fund edhe pa u shpërblyer, fort mirë e dinë se duhet pasur kujdes në çdo hije të jetës së saj.
Shoqëria ideale është shoqëri e kompletuar në të gjitha aspektet, shoqëri që nuk lejon asnjëherë t’i mohohet e drejta e ndonjërit nga ajo shoqëri, edhe po të jetë i pasur apo i varfër pa në qoftë edhe i ndonjë race a kombi tjetër. Për ta kuptuar sa më qartë këtë do të sjellim një shembull nga historia jonë e pastër islame, ku do të gjejmë se si Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i ka zgjidhur problemet me një ligj që nuk mund ta shpik mendja e njeriut, por është sistem i përpiktë hyjnor.
Transmetohet nga Ebu Dherri r.a. të ketë thënë: “E kam fyer një herë një burrë, duke e nënçmuar nënën e tij, pastaj Pejgamberi alejhi selam më tha: “Provove të nënçmosh nënën e tij, ti je një njeri që ende ke virtyte të xhahilijetit”.
E di shumë mirë lexues i respektuar, se ende nuk ke kuptuar se ku qëndron lidhja mes këtij rasti dhe temës sonë për frikën ndaj Allahut. Kërkoj prej teje të kesh edhe pak durim. Ky rast ndërlidhet me një sahab që quhej Bilall Habeshiu, ishte njëri nga muslimanët e parë që pranoi Islamin dhe iu përvesh punës me zell derisa edhe Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e përcaktoi si muezin të vetin. Pra, ka të bëjë me një njeri shumë të madh në Islam, i cili ka lënë gjurmë në historinë islame dhe në atë botërore. Them ashtu, sepse Bilalli r.a. nuk ishte arab, por ishte nga Abisinia (Etiopia e sotme) dhe ishte zezak. Pra, rastin që e përmendëm ka të bëjë pikërisht me Ebu Dherrin, që ishte arab dhe Bilallin që ishte nga një vend shumë i largët dhe jo fort i respektuar nga arabët xhahilë. Rasti ndodhi kur në një ndenjë ishte prezent edhe Bilalli, kurse Ebu Dherri ishte duke folur, disa në atë mexhlis e kundërshtuan mendimin e Ebu Dherrit, i cili sa kishte hyrë në Islam, pastaj e kundërshtoi edhe Bilalli mendimin e Ebu Dherrit. Ebu Dherri i tha: “Edhe ti po më kundërshton, o i biri i zezakes”. Ebu Dherri kishte harruar se kush ishte ky njeri dhe me kë kishte punë, e kishte nënçmuar njeriun që Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e kishte përgëzuar me xhenet duke i thënë: “O Bilall, mbrëmë kam dëgjuar se si shushurtnin papuçet e tua në xhenet!”
Ku!!!? Në xhenet!!!?
Po vëlla, në xhenet e jo diku në këtë dunja. Bilalli r.a. e kishte fituar çmimin e vet që e kishte dashur, edhe atë duke qenë gjallë bile. Ky pra ishte Bilall Habeshiu, e këtë shpërblim e arriti duke pasur frikë ndaj Zotit, ku edhe Allahu e shpërbleu me xhenet. Gjë që na tregon se për fitimin e xhenetit nuk duhet qenë i racës së bardhë, as pasanik e as arab apo shqiptar, por duhet pasur dro (frikë) Allahun. Kurse, në rastin tonë Ebu Dherri u mburr me fisin Kurejsh dhe arab kinse më i privilegjuari ndër njerëz, ku edhe gaboi. Bilalli r.a. u ngrit në këmbë dhe doli nga tubimi, kështu veprojnë të dashurit e Allahut, ata gjithmonë janë të lidhur me Zotin e tyre, në raste konfrontimesh me njerëz ata nuk dëshirojnë të bëjnë probleme, por thërrasin me paqe.
U nis kah Pejgamberi alejhi selam për t’ia paraqitur rastin dhe problemin duke e ditur fort mirë se ky Pejgamber do ta zgjidhte këtë problem në formën më të bukur. Tregon Ebu Dherri: “Kur shkova dhe hyra te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nga hidhërimi që e kishte kapluar Pejgamberin alejhi selam nga sjellja ime me Bilallin, nuk e di se a ma ktheu selamin apo jo! E kjo ndodhte shumë rrallë nga ana e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “Provove të nënçmosh nënën e tij, ti je një njeri që ke ende virtyte të xhahilijetit”.
Pra virtyt i pahijshëm nga një musliman, një virtyt që kërkohet të zhduket nga të gjithë muslimanët, asnjëherë nuk guxon të figurojnë në fjalorin e muslimanit këso lloj shprehjesh apo të figurojnë këso lloj idesh në mendimet e tij. Kur dihet mirë se Pejgamberi alejhi selam ka thënë në një hadith të vërtetë:
“Me të vërtetë Allahu nuk i shikon pamjet e juaja dhe pasuritë e juaja, por i shikon (nderon) zemrat dhe veprat e juaja”. Pra, frika e besimtarit ndaj Allahut e bën të dallohet prej të tjerëve, e ngrit në një piedestal të lartë që i takon vetëm besimtarit ta ketë, e askujt tjetër pos tij. Pra, një frikë ndaj Allahut të garanton ty o besimtar një shpërblim të mirë te Allahu xh.sh., e Allahu për ata që e kanë frikë Zotin thotë:
“E atyre të cilëve u priu e mbara nga ana Jonë, do të jenë larg tij (xhehenemit). Ata nuk do të dëgjojnë as zhurmën e tij, dhe ata do të jenë përgjithmonë të kënaqur me atë që e dëshirojnë vetë. Ata nuk do t’i shqetësojë tmerri më i madh (Ditën e Kijametit), dhe do t’i presin engjëjt (duke u uruar): “Kjo është dita e juaj që u premtohej”.” [Enbija, 101-103]


Cilësia e dytë e shoqërisë ideale është: Adhurimi i Allahut. Pra, duhet ditur secili besimtar se e ka një detyrë ndaj Krijuesit të vet në këtë botë, thënë shkurt duhet ta dish se për çfarë bash ty të ka zgjedhur Allahu për të qenë krijesa e Tij më fisnike në këtë botë. Përgjigjen e ke në Kur’an:
“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as që dëshiroj të më ushqejnë ata. Allahu është furnizues i madh. Ai është fuqiforti.” [Dharijatë, 56-58]
Vallahi dije se ky është qëllimi i ekzistencës tënde në këtë botë, pra t’i thuash Allahut ti je Ai që e meriton adhurimin, lavdërimin tim si dhe tërë qenia ime o Zot vetëm Ty të takon e askujt tjetër pos Teje. O Zot i gjithësisë, e kuptoj fare mirë se nuk jam në këtë botë të grumbulloj hambarët e pasurisë botërore, e as të kaloj jetën time në lojëra të ndryshme e sigurisht edhe të mos e humbas veten time pas kësaj bote. Por, për fat të keq po gjinden një turmë e madhe e popullit tonë që ende janë duke fjetur, ende nuk e kanë kuptuar qëllimin e ekzistimit të tyre në këtë botë, madje për disa me keqardhje po e them se as nuk duan të dinë për këtë, edhe pse kjo është e vërteta pa kurrfarë dyshimi në të. Në mesin tonë po kemi njerëz, të cilët i kanë dhënë shumë përparësi dunjallëkut të tyre, i kanë dhënë shumë përparësi veshjes e standardeve deri në atë shkallë sa që kur i thua diçka për Islam thotë: Ende ju po merreni me këtë punë, kur bota po ec përpara e ti ende po më fton të fali namaz e të jep zeqatë. Por, këto janë shtylla të Islamit deshe apo nuk deshe, Allahu ta ka caktuar ty këtë fe sikur ma ka caktuar edhe mua, andaj zgjohu nga gjumi e përvjeli krahët, sepse ty dhe mua nuk na kanë mbetur shekuj për të jetuar. Atë që e varrosëm dje, ai e kreu të veten, kemi mbetur unë, ti dhe të tjerët që presim të shkojmë po aty ku e varrosëm atë dje, deshëm apo s’deshëm kemi për të shkuar dhe kemi për të dhënë llogarinë e përpiktë para Sunduesit të Ditës së Gjykimit - Allahut.
Andaj, atë adhurim mos ia jep dinarit e alkoolit, e as ahengjeve e as amoralitetit, por jepja Atij që të ka krijuar, Atij që të ka fal me gjymtyrë të kompletuara, Atij që të dha shëndetin dhe mendjen e shëndoshë, Atij që tek Ai ke për t’u kthyer. Allahut i bie në sexhde çka ka në qiej e çka ka në tokë, edhe planetët më të mëdha që ka krijuar Allahu e adhurojnë Allahun në një farë forme ndoshta të pakuptimtë për ty, por ato e kryejnë obligimin e tyre, edhe melaiket më të mëdha nuk guxojnë t’i rrinë Allahut në kundërshtim, por e pranojnë sundimin absolut të Tij, edhe dielli edhe hëna po të njëjtën gjë e bëjnë. A nuk e ke vërejtur se si Allahu i ka krijuar ato, nuk kanë lëvizur qoftë edhe një grimcë nga orbita e tyre, asnjëherë nuk është vonuar dielli për të lindur, as hëna, po ashtu edhe qelizat që i ke në trup me miliarda asnjëra pre tyre nuk e ngatërron rrugën e saj me ndonjë tjetër, ajo qelizë e dedikuar për në sy shkon atje te vendi i caktuar i saj, kurse ajo e dedikuar për në fyt shkon në fyt, e po të vepronin qelizat e tua që i ke në trup si të donin vet, atëherë do të ndërronte forma jote trupore, mentale e fiziologjike.
Por jo, secila është në punë të vet për një gjë, e kryen urdhrin e Allahut në trupin tëndin, edhe pse ti ndoshta aspak nuk ke njohuri me atë se çfarë është duke ndodhur në trupin tënd, bile Allahu me madhërinë e Tij na e mundësoi që mos të jetë ky dert i yti po i tjetërkujt, se po të ishte i yni do të harronim ta rritnim trupin, ta rritnim trurin, ta futim në funksion zemrën, e shumë e shumë punë tjera që kryhen në organizmin tonë, e ne aspak nuk e dimë. Këto të gjitha i shpaguan dhe ua jep hakun e merituar po që se njeh Krijuesin tënd, e beson Atë dhe vetëm Atë e adhuron.
Andaj, për shembullin e atij që e beson Allahun dhe Atij që nuk e beson Allahun, Krijuesi Yt ka thënë në Kur’anin Famëlartë:
“Vallë, a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo?” [En’amë, 122]
Nuk mund të jenë të njëjtë ai që din dhe ai që nuk din, nuk janë të njëjtë si nata e dita, ashtu është dallimi edhe i besimtarit me jobesimtarin. Andaj, jo rrallë gjejmë në mesin e popullit tonë njerëz që po t’i pyesësh në politikë mundohen ta precizojnë më mirë se çdo europerëndimorë, po ta pyesësh ndonjë tjetër t’i tregon të gjitha mundësitë tregtare dhe përfitimet ndërkombëtare. Shkurt, të gjitha punët e dunjasë i di, kurse po ta pyesësh për ahiretin nuk di asgjë, madje edhe dyshon në të, po ta pyesësh për namazin apo për ndonjë çështje të thjeshtë në fe mbetet me gojë të hapur dhe tund kokën në shenjë mosdije. Vaj halli për këto lloj kategorish të besimtarëve, vaj halli për këtë lloj Ummeti, që të mos i dijë gjërat esenciale të fesë, ku pastaj vjen në moshën 50 vjeçare edhe ia nis prej fillimit muslimanllëkut dhe çuditërisht pyet hoxhën: Hoxhë, pse muslimanët janë kaq prapa? Gjë që një pyetje e tillë edhe na është shtruar, e përgjigjja është e thjeshtë: Deri në këtë moshë, pra 50 vjet, ia fale tjetër kujt, e tash me pleqërinë tënde dëshiron t’i ndihmosh muslimanët a? Vëllezër, nuk po them që nuk ka pendim për të, Allahu sigurisht që do ta pranojë pendimin e sinqertë të tij, por çështja është se nuk është vetëm një person si ky, por ka me mijëra si rasti i tij, e pastaj vjen pyetja e zakonshme: Pse ne myslimanët jemi prapa?! Çudi, si nuk e ka pasur ky person dertin e muslimanëve në kohën kur ai kishte pushtet e t’i ndihmojë ata, çudi si nuk i ra në mend këtij personit t’i ndihmojë muslimanët (popullin e vet) kur ishte mjek, e ai tjetri kur ishte nëpunës në qeveri e në pushtet, aspak nuk kishte dertin e muslimanëve, e tash pyet: Pse janë prapa?! Përsëri them: Çudi! Këta njerëz sigurisht nuk kanë asnjë pasqyrë rreth historisë së Pejgamberit alejhi selam se si arriti ky njeri në një kohë shumë të shkurtër t’i çlirojë tokat për 40 vjet, të cilat toka nuk kishin mundur perandoritë tjera t’i fitojnë me shekuj të tërë. Pyetja vlen për ty: A e di se me kënd punonte Pejgamberi alejhi selam, a e di se kënd e mësonte Pejgamberi alejhi selam? Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem mësonte rininë, burrat e fortë, krerët e fiseve, po ashtu edhe njerëzit e mençur. Rreth tij kishte ushtarakë fenomenalë, e të gjitha këto e ndihmuan përhapjen dhe suksesin e Islamit, edhe pasanikët e mëdhenj ishin rreth tij (kur ishte nevojë për financim, ata i thoshin Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: Vepro si me qenë kjo pasuri e jotja, për çfarëdo qoftë, kurse ne në vendin tonë nuk po kemi mundësi një xhami ta kryejmë si i ka hije. Nuk është problemi se nuk ka pasuri, pasuri ka, por po mungon burrëria dhe bindja islame). Në mesin e tyre kishte shumë pak pleq dhe njerëz që kishin dyshime në vërtetësinë e Islamit, sikur është rasti me pyetësin tonë, por ja që edhe kjo po na ndodh.
Pra, nevojitet një korrektësi dhe syçelëti nga ana jonë që të jemi me vepra më afër Allahut ashtu që edhe Zoti të na ofrojë udhëzimin e drejtë. Kurse, nga gjërat më kryesore që njeriu duhet t’i dijë e t’i vlerësojë të rëndësishme, e sidomos besimtari, është çështja e namazit!
Po, të nderuar, namazi është. Namazi është shtyllë e Islamit, pa të cilën nuk qëndron, duhet t’i kushtojmë rëndësi të madhe namazit, sepse është gjëja e parë për të cilën do të pyetet robi në Ditën e Gjykimit, po ashtu dihet shumë mirë se kush i kushton rëndësi dhe e ruan namazin e tij, ky namaz do të jetë shkak për t’ia ruajtur fenë po këtij njeriu. Andaj, asnjëherë mos mendo t’i shmangesh namazit, sepse kush i shmanget namazit Allahu atë njeri do ta harrojë, ku në një hadith kudsij Ai thotë:
“Po të mos ishin pleqtë, të cilët falen, e foshnjat që u jepet gji për të thithur dhe po të mos ishin kafshët që kullosin, juve moti do t’ju kishte kapur dënimi i dhimbshëm.”
Përse dënimi i dhimbshëm?! Shkaku është se njeriu e la Krijuesin e vet dhe u dha pas dunjallëkut, e la namazin, e pastaj normal që vjen dënimi i Allahut, por ja që shkaku i pleqve, foshnjave dhe kafshëve ky dënim është shtyrë për një kohë më të vonshme e do të ndodhë kur Zoti do.


Cilësia e tretë e shoqërisë ideale është respektimi i të tjerëve. Këtu kemi shumë segmente për të folur, por do të ndalemi vetëm te tri grupe: Sjellja me prindërit, sjellja e bashkëshortëve dhe sjellja me fqinjin.
Sjellja me prindërit është një volum i madh për të cilin kemi çfarë të flasim, është një lëmi jo e re tek njerëzimi, por fatkeqësisht e lënë pas dore madje shumë. Allahu në Kur’an thotë:
“Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of - oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta respektuese). Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse më rritën mua kur isha i vogël.” [Israë, 23-24]
Shiko se çfarë përmbajtje ka ky ajet!
A ka mundësi që dikush pos Allahut ta ketë rregulluar kaq bukur një ajet si ky, jo kurrë! Edhe poetët e gjitha kohërave dhe këta të sotëm të mblidhen, nuk kanë mundësi qoftë edhe një pjesë si ky ajet ta thurin, pra Kur’ani Famëlartë është mrekulli hyjnore.
Allahu këtë ajet e filloi me thënien: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij”, pra e ka vërtetuar edhe një herë si shumë herëve tjera duke na kujtuar se Allahu nuk pranon ndonjë formë të politeizmit, por i vetmi adhurim që pranon Allahu është adhurimi që i bëhet vetëm Allahut e nuk përzihet ai adhurim me diçka tjetër.
Pastaj Allahu e vazhdoi ajetin duke thënë: “...që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve”, pra na bën me dije se çështja e prindërve nuk është për t’u nënçmuar, por është aq e madhe sa që e ka radhitur Allahu menjëherë pas adhurimit të Tij, dhe çështja është madhore.
Asnjëherë mos e largo nga mendja tënde se duhet t’i nderojmë ata deri në vdekje pa marrë parasysh se cilin prej tyre e ke gjallë, qoftë nënën apo babanë, apo që të dy. Ata janë prehja dhe shpëtimi yt si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën, kurrë mos mendo se kanë qenë të mjaftueshme këshillat e të vjetërve se duhet respektuar prindërit e në veçanti nënën. Kjo këshillë vazhdon edhe sot e kësaj dite, duhet të vazhdojë edhe nga hoxhallarët e rinj, sepse kjo nuk sjell ndonjë fe të re në mesin tonë, feja është e njëjtë, farzi ka mbetur ashtu si është farz, kurse harami ka mbetur ashtu si është haram, e nuk bëhet harami hallall e as e kundërta. Sepse, kjo është fe e Allahut që nuk ka të drejtë asnjë hoxhë apo dijetar të mundohet ta ndërrojë, por është e njëjtë, ka qenë e tillë dhe do të mbetet e drejtë deri në Ditën e Kijametit. Andaj, respektimit të prindërve i japim vendin që duhet ta ketë, pra duhet të ligjërojmë për prindër, t’i mësojmë gjeneratat se duhet respektuar prindërit dhe duhet të jemi me ata që i repsektojnë prindërit e tyre.
Pastaj Allahu e vazhdon ajetin duke thënë: “Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of- oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta respektuese)”. Pra, nëse janë që të dy apo njëri gjallë, atëherë ke kujdes ndaj tyre dhe mundohu deri në maksimum t’i respektosh ata, si dhe thuaju atë që ata kanë merak e qejf, ashtu që të kalojnë disa momente të hareshme në çastet e fundit të jetës së tyre, e mos e bën punën që ata të urrejnë ty, të luten kundër teje, madje mos ua thuaj as edhe fjalën më të vogël: of. Por, ndodh e kundërta nëpër shtëpitë tona: Prindërit as edhe një zë nuk e lëshojnë nga frika prej teje se do t’i fyesh ata, apo do t’i rrahësh siç ndodhë në shumë raste, ku gjejmë se nëna dhe babai janë rrahur nga i biri. Nuk e di se ku mendon ky njeri të gjejë drejtësi përveç se te Allahu, tek i Cili do të dënohesh për vuajtjet dhe torturat që u ke sjellë prindërve të tu. Në një rast gjejmë në histori se një sahabi kishte dashur t’i bashkohet ushtrisë muslimane për të shkuar në xhihad, Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i afrohet këtij njeriu dhe e pyet: “A ke nënë?” Po - i thotë. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i thotë: “Si e ke lënë?” Ai përgjigjet: Duke qarë. Atëherë, Pejgamberi alejhi selam i thotë: “Kthehu tek ajo dhe bëje të qesh ashtu sikur e bëre atë për të qarë”.
E sheh vlerën e prindërve, edhe pse sahabiu ishte nisur për në xhihad e jo në harame, në kafe, apo rrugëve të qytetit, Pejgamberi alejhi selam e urdhëroi që të kthehet tek nëna dhe t’ia zbus zemrën asaj.
“Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! mëshiroi ata të dy, sikurse më rritën mua kur isha i vogël!” Pra, trego edhe ti mëshirë ndaj atyre, jo më tepër nëse nuk mundesh, po bile aq sa ata të rritën ty duke qenë ti foshnje, u afruan pranë teje, të afruan gjirin e ngrohtë familjar, të ushqyen, vuajtën shumë me ty derisa u bëre i pavarur, ata gjatë gjithë asaj kohe nuk kishin nevojë për ty, por ata tash kanë pakëz nevojë për ndihmën tënde derisa t’i përcjellësh për në jetën e përjetshme. Madje pas gjithë atij respekti që bën ti për ta Allahu na mëson që edhe të lutemi për ta duke thënë: “Zoti im mëshiroi ata të dy, siç më rritën mua kur isha i vogël! Për ta duhet lutur dhe duhet pasur kujdes të veçantë.
Në një hadith thuhet: “Erdhi një person tek Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe kërkoi leje për të shkuar në xhihad, Pejgamberi alejhi selam e pyeti: A i ke prindërit gjallë? Iu përgjigj: Po. Pastaj, Pejgamberi i tha: Tek ata dy e ke xhihadin ti”. E sheh se sa kanë vlerë prindërit në fenë islame dhe sa duhet pasur kujdes ndaj tyre.


Aspekti tjetër i respektimit të të tjerëve është edhe sjellja e bashkëshortit apo bashkëshortes. Ku do të gjejmë se feja islame me përpikëri i ka vulosur rregullat e bashkëshortësisë dhe na ka mësuar në detajet më të imta për sjelljen mes tyre. Allahu në Kur’an thotë:
“O ju njerëz! Kine frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo
krijoi palën (shoqen) e saj.” [Nisaë, 1]
Nga ky ajet e vërejmë qartë se të gjithë burrat dhe gratë janë nga një shpirt, andaj nuk duhet krenuar se je burrë, por as nuk duhet nënçmuar po që se është grua, por të gjithë para Allahut janë të njëjtë. Nga ky ajet vërehet qartë edhe përsosmëria e fesë islame si dhe virtytet e larta për të cilat fton kjo fe, ngase para 14 shekujve ky ajet i zbritur i ka dhënë gruas muslimane të drejtën e saj, që nuk e kishte asnjëherë më parë. Kurse, sot me qindra organizata mundohen që të luftojnë për të drejtat e grave kudo në botë, e neve muslimanëve që moti Allahu na e ka rregulluar këtë çështje, e nuk na duhen ato fjalë që thonë se gratë muslimane janë më të diskriminuara, sepse ky ajet na tregon të gjithëve se nuk është e vërtetë ajo që thuhet. Mund të jenë disa individë që keqtrajtojnë bashkëshortet e tyre, por kurrsesi të gjithë muslimanët të jenë të njëjtë.
Të drejtat e burrit te gruaja do t’i paraqesim përmes disa haditheve të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:
“Është pyetur Pejgamberi alejhi selam: Cila grua është më e mira? Ai është përgjigjur: Është ajo grua që të kënaq kur e shikon, të përgjigjet kur e urdhëron, e nuk të kundërshton në marrëdhënie intime e në pasuri, të cilën gjë burri urren.”
Pra, këto kondita janë islame, të cilat i gjejmë në Islam, ku po që se e studiojmë mirë, do të gjejmë çfarë do t’i rehatonte bashkëshortët.
Kushti i parë:
-Të kënaq në shikim. Me veprat dhe sjelljet e saja të bukura e kënaq burrin e saj. Mirëmbajtja e shtëpisë, edukimi i mirë i fëmijëve, pritja e bukur për burrin, të gjitha këto janë që e magjepsin cilindo burrë.
-Të përgjigjet kur e urdhëron. Kur i drejtohet një urdhër menjëherë përgjigjet, e nuk e lë anash, ose nuk e trajton kërkesën e burrit si të panevojshme.
-Nuk të kundërshton në marrëdhënie intime. Kjo është një pjesë e jetës bashkëshortore ku do të gjejmë se nevoja e intimitetit paraqitet tek burri më shpesh, andaj edhe kërkesat e burrit për intimitet janë më të mëdha se sa të gruas. Në këso rastesh gruaja është e obliguar t’i përgjigjet burrit përveç në rastet më të njohura si gjatë menstruacioneve, lehonisë, në të cilat nuk duhet t’i përgjigjet burrit, ndërsa në raste tjera duhet t’i përmbush kërkesat e burrit të saj për intimitet. Në një hadith të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem përmendet kjo çështje në këtë formë: “Nëse burri e fton gruan e vet për në shtrat (intimitet), e ajo nuk i përgjigjet burrit, e burri kalon natën i hidhëruar, atë grua do ta mallkojnë melaiket deri sa të agojë dita.”
-E në pasuri, të cilën gjë burri urren. Ekziston mundësia që gruaja të ketë një pasuri të veten, por gjatë shpenzimit të pasurisë së saj gruaja duhet pasur kujdes që mos ta harxhojë aty ku burri e urren, por le të harxhojë aty ku burrit nuk i prishet qejfi.


Kurse të drejtat e gruas te burri do t’i fillojmë me një ajet kur’anor ku përmendet sjellja e tyre: “Dhe jetoni me to jetë të mirë.” [Nisaë, 19]
Shihet qartë nga ky urdhër i Allahut ku thekson se burri duhet të jetojë mirë me gruan e tij dhe të mos e keqtrajtojë atë në asnjë mënyrë, duke bërë me dije se edhe ajo është një krijesë e Allahut, e ka sjellë Allahu në këtë botë si femër ashtu siç veproi me ty që të krijoi mashkull, andaj mos e merr gjënë të keqe, se kjo ishte zgjedhja e Allahut. Duke pasur mundësinë e keqtrajtimit të tyre dhe pamundësisë së kërkimit të ndihmës prej tyre ndaj burrave të vet, Pejgamberi e ngriti zërin për to duke thënë në një hadith: “O Zoti im, unë i mbroj dy grupe që janë të dobëta nga padrejtësitë që i bëhen: Jetimin dhe gruan.” Këtë hadith të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem nuk guxojmë ta harrojmë asnjëherë, sepse ashtu edhe është në të vërtetë se këta dy persona: gruaja dhe jetimi janë që u bëhen shumë zullum, duke qenë të papërkrahur nga të tjerët për drejtësinë, atëherë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem merr përsipër duke iu lutur Zotit që t’i mbrojë të drejtat e tyre, që në shumë raste nuk ka aspak drejtësi për këto dy grupe. Edhe vet Pejgamberi alejhi selam ngriti zërin e tij në përkrahje të grave qysh para 14 shekujve kur e tërë njerëzia ishte në injorancë të thellë, ai i ftonte burrat t’ua jepnin të drejtat grave të veta duke u mbështetur në një ligj që quhet Kur’an.
Poashtu Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për të drejtat e gruas në një hadith përmend ku transmetohet nga Hakim bin Muavije, e ky nga babai i tij, i cili kishte thënë: I thashë: O i Dërguari i Allahut, cilat janë obligimet tona ndaj grave? U përgjigj: Ta ushqesh gruan kur hanë vet, t’i blesh rroba kur blenë për vete, e mos gabo t’i biesh (godasësh) në fytyrë, e as mos thuaj kurrë ndonjë mallkim për të dhe mos u veço nga ajo në shtrat pos në shtëpinë tënde.”
Këto ishin disa të drejta që i takojnë bashkëshortëve dhe lusim Zotin që këto rregulla të merren parasysh dhe të veprohet me to në të ardhmen.


-Aspekt tjetër i respektimit të të tjerëve është edhe sjellja me fqinjin. Edhe në këtë drejtim feja islame ka udhëzuar ithtarët e saj në rregulla të bukura për sjellje të ndërsjellë mes fqinjëve, ashtu që të gjithë të bëjnë një shoqëri ideale për të cilën edhe jemi duke folur.
Për fqinjin dhe rolin e tij kemi shumë argumente, ndër to po përmendim ajetin kur’anor që gjendet në suren Nisaë, ajeti 36: “Adhurone Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, sillu mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqinjit të afërt, ndaj fqinjit të largët.”
Po ashtu edhe Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në një hadith ka thënë: “Pasha Allahun nuk beson, pasha Allahun nuk beson, pasha Allahun nuk beson! Iu tha: Kush nuk beson o i Dërguari i Allahut? Tha: Ai, i cili nga sherri i tij nuk është i sigurt fqinji i vet”. Ndërsa, në një hadith ka thënë: “Aq shumë vazhdonte Xhibrili duke më këshilluar për fqinjin sa që mendova se do ta bënte edhe trashëgimtarë të pasurisë”.
Fqinji e ka pozitën shumë të lartë në Islam, andaj edhe ashtu u shpreh Pejgamberi alejhi selam duke kujtuar se do të bëhej edhe pjesëmarrës në pasurinë, e cila do të ndahet pas vdekjes së pronarit të shtëpisë.


Cilësia e katërt e shoqërisë ideale është: Kthimi te Krijuesi pas lëshimeve që bëhen. Çdo krijesë të cilën e krijoi Allahu është në gjendje të bëjë mëkate dhe lëshime për të cilat është e njoftuar se nuk duhet bërë. Por, ato ndodhin dhe njeriu gabon, andaj Allahu duke ditur gjendjen e robërve të Tij është deklaruar në Kur’anin Famëlartë: “E ata që bënë vepra të këqija e pastaj u penduan pas tyre, dhe besuan sinqerisht, Zoti yt ua falë gabimet dhe është mëshirues pas tij (pas pendimit të tyre)”. [A’rafë, 153]
Disa prej njerëzve mendojnë se gabimet që i ka bërë ai vetë, askush nuk do t’ia falë gabimet atij njeriu, por e vërteta është ndryshe dhe është ashtu siç u përmend më herët në këtë ajet, ku Allahu i falë mëkatet pasi të pendohet robi sinqerisht tek Krijuesi i tij. Për edhe gjejmë disa njerëz ku ngrenë zërin duke thënë se filanit apo filanes kurrë Allahu nuk ia falë mëkatet. Jo, e vërteta është ndryshe, e vërteta është se Allahu i falë gjitha mëkatet qoftë edhe mosbesimi nëse njeriu pendohet te Zoti, Allahu atij njeriu do t’ia falë gjitha mëkatet. Këso raste kemi shumë në historinë islame, ku gjejmë se sahabët shpesh e kanë pyetur për mëkatet që i kanë bërë para se të bëheshin vetë ata muslimanë, e përgjigja e Pejagmberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ishte: Allahu i falë të gjitha mëkatet për atë që hyn në Islam. Andaj, edhe muslimani po që se ka gabuar i drejtohet Allahut dhe kërkon falje për mëkatin dhe pendohet me sinqeritet, sigurisht që Allahu do t’ia pranojë pendimin atij. Allahu thotë në Kur’an: “A nuk e ditën ata se Allahu është Ai që pranon pendimin e robërve të vet, pranon lëmoshat dhe se vetëm Allahu është Ai që shumë pranon pendimin dhe është mëshirues.” [Tevbe, 104]
Poashtu ka thënë:
“Ha, Mimë. (Kjo) Shpallja e librit është prej Allahut, Fuqiplotit, Gjithëdijshmit. I cili fal mëkatin dhe pranon pendimin, dhe që është ndëshkues i ashpër, Dhuruesi (që arrin kudo me mirësitë e Tij). Nuk ka zot tjetër që meriton adhurimin pos Atij. Te Ai është kthimi i fundit.” [Gafir, 1-3]
Argumentet rreth pendimit janë të shumta, por do ti përmendim edhe disa hadithe të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili ka thënë: “O ju njerëz, pendohuni te Allahu dhe kërkoni falje prej Tij, dine se unë pendohem njëqind herë në ditë.”
Pra, ky hadith e tregon një virtyt që duhet pasur muslimani, e ai virtyt është pendimi te Zoti, duke e vërejtur edhe nga hadithi i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili tregon për veten e tij se pendohet 100 herë në ditë. Por,ta kemi një gjë të qartë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem nuk kishte fare gabime, por edhe nëse do të bënte, Allahu i kishte premtuar falje mëkatesh që para se t’i bënte. Këtu vërehet edhe interesimi i madh i Pejgamberit alejhi selam për të mësuar popullin e vet gjënë më të mirë dhe për t’i treguar atyre rrugën e shpëtimit.
Do të përmendim edhe një hadith të gjatë që e transmeton Ebu Seid Huderiu nga Pejgamberi alejhi selam, i cli ka thënë: “Ishte një njeri para jush (nga Benu Israilët) që kishte vrarë 99 njerëz, ky u interesua për një dijetar në rrethin ku jetonte, dhe populli e drejtoi këtë për tek një rob, dhe e pyeti: A ka pendim për mua? A ka falje mëkatesh për mua? Ai iu përgjigj duke thënë: Jo. Ky e vrau edhe atë dhe i plotësoi një qind të vrarë. Përsëri ky pyeti për ndonjë tjetër njeri të ditur, i thanë është një njeri tjetër, ky shkoi dhe i tha: Kam vrarë 100 njerëz, a ka pendim për mua? I tha: Po. E çfarë e ndanë atë prej pendimit? I tha: Shko në këtë vend se aty ke njerëz që adhurojnë Allahun, njerëz të mirë dhe largohu prej vendit tënd të keq (këtu vërehet dallimi në mes besimtarit pa dije dhe dijetarit), kur arriti në mes të rrugës, i erdhi jeleku i vdekjes dhe ia mori shpirtin. Aty filloi debati mes melekëve të xhenetit dhe atyre të xhehenemit, duke thënë ato të xhenetit se ai na takon neve pasi është penduar te Allahu dhe është nisur me zemër për tek ai vend, kurse ato të xhehenemit thanë: Jo, sepse ky asnjëherë në jetën e tij nuk ka bërë mirë. Si zgjidhje u erdhi një melek në formë të njeriut duke u thënë: Mateni tokën dhe nga e cila anë është më afër, aty e ka vendin. Kur e matën, e gjetën se është më afër vendit për ku ishte nisur dhe e morën shpirtin e tij melekët e xhenetit.”
Pra, nga ky hadith i gjatë mësojmë shumë gjëra, por ajo që na intereson në këtë është se Allahu e pranon pendimin nga njeriu deri para vdekjes, dhe i falë të gjitha ato mëkate, qofshin edhe sikur ky njeri që kishte vrarë 100 njerëz. Por, për t’u pranuar pendimi, dijetarët kanë kujtuar disa rregulla që duhet ndjekur besimtari, e ato kushte të pendimit janë:
-Të bëhet pendimi para se të fillojë shpirti me dalë nga trupi.
-Të bëhet sinqerisht.
-Të betohet se nuk do ta përsëris më.
-Nëse i ka borxh ndonjë njeriu, le t’i kërkojë falje e hallallëk dhe t’ia kthejë borxhin. Allahu i Lartmadhërishëm thotë në Kur’an: “Pendim i pranueshëm te Allahu është vetëm ai i atyre që bëjnë të keqen me mosdije, shpejt pendohen; të tillëve Allahu ju pranon pendimin, se Allahu është më i dijshmi, më i urti. Nuk është pendim (i pranueshëm) i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqija dhe vetëm atëherë kur t’i vjen vdekja ndonjërit prej tyre, të thotë: “Unë tash u pendova, e as i atyre që vdesin duke qenë jobesimtarë. Ndaj tyre kemi përgatitur dënim të ashpër!” [Nisaë, 17-18]
Secili prej nesh duhet që sa më shpesh të pendohemi te Allahu, sa kemi kohë, e të mos i themi vetes se ende ka kohë për mua, ende jam i ri apo diçka të ngjashme. Kërkojmë prej lexuesit të këtij shkrimi që një gjë ta ketë të qartë: Dije se po të kthehesh e të pendohesh, askush nuk do të të shfrytëzojë ty, por e ke për të mirën tënde dhe do t’ia shohësh hajrin vetes. Ti je ai që përfiton nga ky pendim e kthim te Allahu, e jo si mendon dikush se nëse kthehem në fe filani do të më thotë kështu, e ai tjetri ashtu, e hoxha do më quajë..., e pastaj të më lë edhe shoqëria.
Jo, sepse të gjitha këto janë intriga të shejtanit për ta mbjellë dyshimin dhe mendimin te ti se ende ke kohë për t’u penduar. Madje, disave u thotë edhe në momentin e fundit të jetës së tyre, a tash do të pendohesh a, ende more ke kohë, ende nuk ke për të vdekur?! E të mjerit meleku i vdekjes i ka ardhur te koka e ky ende mendon se ka kohë për t’u penduar dhe se ende ka për të jetuar. Andaj, mblidhe veten edhe jepi besë vetes tënde që të kthehesh tek Allahu që tani, e nuk do të lejosh që të bëhesh mjet i manipuluar nga shejtani, i cili bëhet edhe shoqërues i tij në xhehenem, ruana Zot! Allahu thotë: “Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” [Zumer, 53]
Në fund e lusim Allahu që të bëhemi prej atyre që do t’i përmbahemi kushteve të shoqërisë ideale, për të qenë idealë unë, ti dhe njerëzit tjerë, të cilët njohin Zotin e vet, respektojnë të drejtat e të tjerëve, kanë frikë Allahun dhe pendohen shumë shpesh te Zoti. Lusim Allahun të na udhëzojë dhe të na forcojë për në rrugë të drejtë, të na i falë mëkatet dhe të na bëjë të gjithë muslimanët të bashkuar, si i ka hije një shoqërie ideale!!!
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://rebeli.super-forum.net
 
Shoqeria Ideale
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
 :: feja islame :: Forum islamik-
Kërce tek: